Tiranë – Dr. Erhard Busek, ish-koordinator i Paktit të Stabilitetit për Europën Jug-Lindore eshte emëruar Anëtar i Bordit Mbikëqyrës te kompania më e madhe të sigurimeve në vend, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast të premten në Tiranë, ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Bordit Menaxhues të UNIQA Group AUSTRIA Dr. Andreas Brandstetter, përfaqësues të lartë të diplomacisë së huaj në Shqipëri, klientë, partnerë dhe stafi i SIGAL.
Me këtë figurë të rëndësishme europiane, SIGAL do të ndihmohet në zhvillimin e mëtejshëm strategjik të kompanisë, tregut të sigurimeve dhe më gjerë.
Në fjalën e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL, Avni Ponari u shpreh se “Pozicioni i SIGAL në treg si kompania më e madhe e sigurimeve, mbështetjes dhe shërbimit ndaj klientëve i shtohet dhe një vlerë tjetër dhe do ta quaja një nder për ne që zoti Erhard Busek, personalitet i politikës austriake dhe europiane të jetë anëtar bordi i SIGAL UNIQA Group Austria.”
SIGAL filloi aktivitetin 12 vjet më parë me një staf prej 5 vetash, kurse sot ka 1200 punonjës e agjentë të shtrirë në Kosovë dhe Maqedoni me mbi 500 zyra në të tre shtetet, me një kapital mbi 23 Milion euro dhe pjesë e një prej grupeve më të fuqishme financiare të Europës perëndimore si UNIQA Group AUSTRIA e cila ka mbi 7 Miliard të ardhura në vit dhe mbi 23 Miliard asete.
Rreth Dr. Erhard Busek:
Dr. Erhard Busek ka lindur në Vjenë në 25 Mars 1941. Ai filloi karrierën e tij në vitin 1964 si këshilltar ligjor i Shoqatës së Parlamentarëve të Partisë Popullore Austriake dhe më pas ishte Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Austriake për Tregtinë. Në 1975 u zgjodh Anëtar i Parlamentit Austriak. Në 1978 ai fitoi postin e Nën-Kryetarit të Bashkisë së Vjenës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1987.
Në Prill të vitit 1989 u emërua Ministër i Shkencës dhe Kërkimeve. Nga Maji 1994 deri në Maj 1995 Dr. Busek kishte postin e Ministrit të Edukimit. Në vitin 1991 Dr. Busek u zgjodh Kryetar i Partisë Popullore Austriake dhe u caktua Zëvendës Kryeministër i Austrisë për periudhën 1991-1995. Që nga Marsi i vitit 2000 deri në Dhjetor të 2001 ishte Përfaqësues Special i Qeverisë Austriake për Zgjerimin e Bashkimit Europian. Që nga Janari 2002, Dr. Busek ka qënë Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, një post të cilin e mbajti deri në dorëzimin e mandatit të Paktit të Stabilitetit tek Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Dr. Busek është Koordinator i Iniciativës Bashkëpunuese të Europës Jug-Lindore, President i Forumit Europian Alpbach, Kryetar i Institutit për rajonin e Danubit dhe Europën Qëndrore.
Saturday, 28 May 2011 14:19