Prishtinë – Marrëdhëniet ekonomike Kosovës- Shqipëri si edhe ato politike janë në nivel të avancuar, ndërsa nuk ka kurrfarë diskriminimi fiskal të Kosovës nga ana e Shqipërisë ka theksuar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pas takimit me Ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka. Ndërkaq, diplomati shqiptar ka mohuar se Tirana aplikon taksa diskriminuese ndaj produkteve të Kosovës, theksohet në njoftimin zyrtar nga Ministria kosovare.
Ministri Beqaj tha se me Ambasadorin Lauka ka biseduar për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve, për raportet e shkëlqyeshme, qoftë në aspektin politik, qoftë në këndvështrimin ekonomik.
“Kosova dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të avancuar në aspektin e bashkëpunimin ekonomik, të cilat ne nuk i kemi me vendet e tjera dhe në këtë drejtim falënderoj ambasadorin që ka mbështetur këtë bashkëpunim”, tha Beqaj.
Ministri Beqaj tha se Kosova po ndërton një infrastrukturë që do të iniciojë edhe më shumë aktivitete të tjera në fushën e ekonomisë, ndërsa shtoi se me diplomatin Lauka ka biseduar edhe për forma të tjera të bashkëpunimit konkret në fushën e energjisë dhe fusha të tjera, të cilat mundësojnë që dy vendet tona t’u qasen tregjeve në mënyrë të përbashkët.
Nga ana e tij, Ambasadori shqiptar, Islam Lauka, tha se me bashkëbiseduesin kanë konstatuar që në mes të Shqipërisë dhe Kosovës ka një bazë të fuqishme ligjore dhe se nuk ka problem në bashkëpunimin shtetëror.
“Janë marrëdhënie të konsoliduara dhe të dy ndamë mendimin që ekzistojnë shumë mundësi për të avancuar këtë marrëdhënie, derisa dëshira dhe vullneti politik i dy qeverive është që ato t’i çojmë me tej”, tha Lauka.
Thursday, 26 May 2011 20:01