Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 16:25

Tiranë – Ndërkohë që gjykatat mbajnë peng kreditimin e ekonomisë së vendit, Ministria e Drejtësisë duket krejt indiferente ndaj problemit.

Bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë kanë ngritur alarmin se sistemi gjyqësor po zvarrit çështjet e ekzekutimit të kolateralit, duke u bërë faktikisht një pengesë për gjallërimin dhe përtëritjen e kreditimit. Sipas statistikave të gjykatës së Tiranës, nxjerrja e një urdhëri ekzekutimi kërkon mesatarisht 173 ditë.

Ndërkohë, kohëzgjatja mesatare e një çështjeje të kundërshtimit të veprimeve përmbarimore është 124 ditë. Sipas një aritmetike të thjeshtë, bankës i duhen mesatarisht 297 ditë gjithsej për ta çuar deri në fund një çështje për ekzekutimin e kolateralit. Ndërkohë, ligji parashikon që e gjithë procedura duhet të zgjasë vetëm 20 ditë.

Duket qartë se shkelja e afateve ligjore është në përmasa skandaloze. Gjendja e rëndë ka detyruar Bankën e Shqipërisë që të marrë nismën për të zhvilluar një forum ndërinstitucional për problematikën e ekzekutimit të kolateralit.

Ankesat e bankave kanë sensiblizuar edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që në mbledhjen e vet më të afërt do të miratojë nisjen e një inspektimi të thelluar tematik për çështjet e ekzekutimit të kolateralit në favor të bankave.

Përballë kësaj gjendjeje Ministria e Drejtësisë vazhdon të qëndrojë pasive. Prej më shumë se një muaji, dikasteri i Drejtësisë nuk ka një titullar, pas kalimit të Bujar Nishanit në krye të Ministrisë së Brendshme.

Lënia vakant e karriges drejtuese të një institucioni kaq të rëndësishëm sigurisht që nuk i shërben ndjekjes së problemeve të shumta që ka sistemi i drejtësisë në vend. Ndër këto probleme, zvarritja e çështjeve të ekzekutimit të kolateralit është bërë aktualisht një nga shqetësimet më madhore për bankat dhe për gjithë ekonominë.