Korçë – Investimet në bujqësi, në qarkun e Korçës, gjatë vitit 2011 do të rriten me 25%, bëri të ditur drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë të këtij qarku, Adrian Maho. Sipas tij, skemat mbështetëse të subvencionimeve me grande nga qeveria, kanë ndikuar në rritjen jo vetëm të sipërfaqeve të mbjella me mollë, kumbulla, qershi, pjeshkë dhe vreshta, por edhe në zhvillimin e industrisë përpunuese, si fabrikat e prodhimit të lëngut të frutave, verës, sallamit, etj.
“Politikat stimuluese të qeverisë për bujqësinë kanë bërë që ky sektor, në vitet e fundit, të ketë ndryshime thelbësore në strukturë dhe prodhimtari”, tha Maho.
Krahasuar me 2009-tën, gjatë vitit që shkoi në rajonin e Korçës prodhimi i mollës u rrit 40%, prodhimi i patates 30%, prodhimi i perimeve 12% dhe prodhimi i qumështit 10%.
Maho nënvizoi gjithashtu, se gjatë vitit 2010, bujqësia dhe blegtoria e rajonit të Korçës përfitoi nga skemat mbështetëse të qeverisë 1 miliardë e 320 milionë lekë grande, ose 235% më shumë se në vitin 2007, kur nisi aplikimi për to. Kështu, nga 800 ha me mollë dhe vreshta që kishte rajoni i Korçës para 4 vjetësh, tani ka mbi 3000 ha me mollë dhe 400 ha me vreshta.
Nga skemat mbështetëse përfituan pagesën e interesave të kredive nga shteti 28 frigoriferë dhe tri fabrika të përpunimit të frutave.
Sipas Mahos, për vitin 2011 kanë aplikuar në skemat mbështetëse të bujqësisë dhe blegtorisë me grande nga shteti 480 fermerë. Veç skemave të vitit të kaluar këtë vit janë shtuar edhe skemat e reja për kultivimin e arrës, lajthisë, mbarështimin e bletëve dhe blerjen e mekanikës bujqësore.
“Në krahasim me vitin e kaluar, për vitin 2011 financimi i skemave mbështetëse në Qarkun e Korçës është rritur edhe me 25%”, tha Maho.
Sipas tij, për ujitjen dhe kullimin ka financime të tjera nëpërmjet Bordit të Kullimit, të cilat sivjet janë më të mëdha se një vit më parë, ku përparësi do të kenë projektet për thellimin e shtratit të lumit Devoll dhe kanalizimet për kullimin e fushës së Maliqit.
Wednesday, 25 May 2011 09:35