Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 07:40

Makedonska Kamenicë – Reforma tatimore për ulje të normave të kontributeve sociale, paralajmëroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski në takimin me banorët e Makedonska Kamenicës dhe përfaqësuesit e kompanisë eksportuese të tekstilit, Nova Teks.

Pas takimit, Peshevski deklaroi se Qeveria vazhdimisht realizon konsultime me përfaqësuesit e industrisë së tekstilit, se ka mirëkuptim dhe punon në zgjidhjen e problemeve në industrinë e tekstilit.

“Me mbështetje të Bankës Botërore në vijim është përpunimi i analizës së konkurrencës në të cilën është përfshirë ky sektor si një prej më prioritarëve për ekonominë e Maqedonisë, ndërsa njëherit edhe si bashkimi më i organizuar klasterik në vend”, tha Peshevski.

Ai paralajmëroi se me analizën do të definohet pako e posaçme e masave për mbështetje të industrisë së tekstilit dhe në mënyrë plotësuese do të nxitet interesimi për linjën kreditore të BMMZH-së për zgjerim të kapaciteteve prodhuese. Prioritet i veçantë në Strategjinë për promovim të eksportit, sipas Peshevskit, i është dhënë pikërisht sektorit të tekstilit duke pasur parasysh pjesëmarrjen e saj prej 37 për qind në fuqinë e përgjithshme punëtore në industrinë përpunuese, gjegjësisht mbi 37. 000 të punësuar.

Në drejtim të përmirësimit të kushteve për financim, Qeveria, shtoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, do të sjellë edhe linja të reja kreditore me norma të ulta interesi dhe skemë garantuese për financim të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.