Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 14:33

Tiranë – Zvarritja e çështjeve të ekzekutimit të kolateralit është bërë objekt i verifikimeve edhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Zëvendëskryetari, Kreshnik Spahiu është shprehur se ky është një problem që është sjellë në vëmendjen e institucionit për shkak të ankesave të paraqitura nga bankat. Ai shprehet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të japë së shpejti një prononcim zyrtar për këtë çështje.

Sipas pretendimeve të bankave, gjykatësit shpeshherë shkelin hapur ligjin në trajtimin e këtyre çështjeve, duke pranuar zvarritje të paarsyeshme të rasteve apo duke bërë vlerësime jo realiste të vlerës së sendit. Këto vendime ngrënë dyshime të forta për korrupsion në trajtimin e këtyre çështjeve. Nuk përjashtohet që inspektimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të evidentojnë shkelje dhe ndaj gjykatësve të ketë masa ndëshkuese. Bizneset dhe individët kanë nevojë për të marrë kredi, për të financuar investimet dhe konsumin. Por bllokimi nga gjykatat i ekzekutimit të kolateralit për kreditë ekzistuese i pret rrugën zgjerimit të kredisë së re.

Bankat nuk mund të mendojnë për ekspansion në kredidhënie, pa zgjidhur më parë rastet e kredive me probleme, që në këtë moment kanë arritur vlerat më të larta historike. Për më tepër, mënyra se si po trajtohen nga gjykatat rastet ekzistuese shton shqetësimin se drejtësia nuk i garanton të drejtat e bankës ndaj debitorëve, nëse eventualisht do të jetë e nevojshme të ekzekutohet kolaterali. Ky bëhet një faktor më shumë frenues për të dhënë kredi të reja.

Banka e Shqipërisë ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për të rritur kredidhënien, si burimi më efikas i nxitjes së ekonomisë. Por, që bankat të japin kredi, duhet të ndihen ligjërisht të mbrojtura se do të marrin mbrapsht paratë, që për më tepër nuk janë paratë e bankave vetë, por të depozituesve shqiptarë.

Rritja e kredisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë nuk mund të ngelen peng i korrupsionit në sistemin e drejtësisë, ndaj ndjehet nevoja që institucionet e ngarkuara me ligj të veprojnë për të ndalur dëmin që po i bëhet ekonomisë shqiptare.