Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 16:12

Prishtinë – Banka e Shqipërisë shpjegon vendimin për heqjen e remunerimit ose interesit që ju paguhet bankave për rezervën e detyrueshme në valutë.

Sipas ekspertëve të Bankës Qendrore, ky vendim i shërben nxitjes së mëtejshme të ndërmjetësimit në lekë nga ana e sistemit bankar. Medvin Shehu, ekspert në Departamentin e Politikave Monetare, thotë se ky vendim do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të politikës monetare, si dhe në kufizimin e pasojave të padëshiruara për sistemin financiar dhe për ekonominë që mund të vijnë si rrjedhojë e përdorimit të valutës.

“Eurozimi është një fenomen i dëmshëm për ekonominë shqiptare dhe sistemin financiar. Përdorimi i tepërt i euros i vendos agjentët e tregut përballë rrezikut të kursit të këmbimit dhe e vështirëson punën e Bankës së Shqipërisë për të ndikuar në ekonomi me anë të politikave të veta monetare. Ky vendim është një hap më shumë për të frenuar përdorimin e euros në ekonominë tonë”, thotë Shehu.

.

Pas këtij vendimi, interesi që Banka e Shqipërisë ua paguan Bankave për rezervën e detyrueshme në euro dhe dollarë amerikanë bëhet 0, ndërsa për rezervën në lekë interesi qëndron i pandryshuar në normën 3.67%.