Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 15:48

Tiranë – Ilir Zhilla rikonfirmohet për të dytën herë në krye të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Përfaqësues të biznesit nga 12 rajonet e vendit zhvilluan zgjedhjet për kryesinë dhe kryetarin e BDHTISH, ku pas votimit u zgjodh kryesia e re me përfaqësues nga gjithë dhomat, ku sërish Zhilla u rikonfirmua si President i BDHTISH.

Zgjedhjet për kryesinë e BDHTISH u zhvilluan pas zgjedhjeve për dhomat në të 12 rajonet.

Z. Zhilla pas rikonfirmimit të tij si President, u shpreh se sistemi i Dhomave të Tregtisë ka një kontribut të madh në promovimin e biznesit në Europë e më tej. Po ashtu, vijoi Zhilla, BDHTISH ka asistuar intensivisht në mjaft ligje të reja, duke përcjellë interesin e biznesit, ku ndër to ai veçoi ligjin e miratuar ditët e fundit për “Amnistinë fiskale”.

Këtë ligj, Zhilla e cilësoi si mjaft të rëndësishëm për mbylljen e një epoke të errët në marrëdhëniet administratë-biznes dhe në hapjen e një epoke të re drejt standardeve europiane.