Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 14:59

Tiranë – Dhënia e titujve të pronësisë dhe zbatimi i projekteve të urbanistikës do t’i jepnin shtysë të fortë tregut të pasurive të paluajtshme.

Gjin Biba, pedagog dhe ekspert, thotë se premtimet e fushatës elektrorale, nëse do të zbatohen sadopak, mund të kenë një ndikim të rëndësishëm për tregun e pronave.

“Nga vlerësimet tona, diferenca në çmim mes një prone me titull pronësie dhe një prone pa titull pronësie në Tiranë varion nga 12% deri në 28%. Pra, një pronë e paregjistruar ka një vlerë tregu më të ulët se një pronë ekuivalente, por e regjistruar rregullisht. Sigurimi i çertifikatave të pronësisë do të rrisë vlerën e pronave që janë ende të paregjistruara dhe si rrjedhojë do të sjellë rritje të volumit të tregut të pasurive të paluajtshme,” thotë Biba.

Ndërkohë, linja e tramvajit apo parkingjet e mëdha nëntokësore do të sillnin një gjallërim të biznesit dhe të tregut të pasurive në zonat e prekura.

Zoti Biba thotë se në Tiranë janë të domosdoshme politikat e diferencimit fiskal mes zonave, për të krijuar një lloj rregullimi dhe shtresëzimi social të tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas tij, taksa mbi pronën në zonat qendrore duhet të jetë më e lartë dhe në zonat periferike më e ulët.