Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 14:06

Tiranë – Qeveria nuk tërhiqet nga rritja e tatimit mbi fitimin. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha përsëriti se rritja progresive e tatimit mbi fitimin do të miratohet dhe se kjo është një masë për të ulur fitimet stratosferike të kompanive të veçanta dhe për të çuar në uljen e çmimeve për konsumatorët.

Kryeministri u shpreh se po zhvillohen diskutime me bankat dhe kompanitë e telekomunikacioneve për të gjetur mirëkuptimin e tyre. Por, përtej deklaratave të kryeministrit, kjo nismë po gjen rezistencë të fortë nga ana bizneseve, që e kundërshtojnë këtë nismë, me argumentin se po thyhet parimi i taksës së sheshtë dhe po rrezikohet ulja e investimeve të brendshme dhe të huaja.

Nga ana tjetër, ekspertët dhe bizneset besojnë se rritja e taksave nuk mund të sjellë kurrsesi ulje të çmimeve, siç pretendon kryeministri, por vetëm rritje të tyre. Qeveria miratoi sot projektligjin, sipas të cilit norma e fitimit mbi 20% do të tatohet me 20%, ndërsa norma e fitimit mbi 30% do të tatohet 30%.