Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 11:25

Durrës – Sezoni i kroçerave në Durrës ka nisur më shpejt se vitet e kaluara. Vetëm gjatë muajit prill u programuan tre lundrime të anijeve të mëdha turistike.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Autoritetit Portual, bënë të ditur se gjatë kësaj vere numri i turistëve të huaj me kroçera dhe jahte do të jetë më i madh, ndërsa janë marrë masa për krijimin e mjediseve të përshtatshme për lëvizjen e tyre në drejtim të qytetit antik.

Sipas të njejtave burime, nesër paradite në portin më të madh të vendit do të ankorohet kroçera “Kristina Katerina” me 325 turistë nga Finlanda. Që nga fillimi i këtij muaji kjo është anija e tretë turistike që mbërrin në Durrës, duke e çuar në rreth 800 numrin e turistëve që kanë vizituar qytetin ende pa nisur sezoni turitik.

Burimet bënë të ditur se të gjitha kroçerat dhe jahtet turistike do të ankorohen në kalatat 4 dhe 5 në qendër të hapësirës portuale, për t’u krijuar mundësinë vizitorëve të huaj t’i drejtohen edhe në këmbë monumenteve kryesore të antikitetit që ndodhen vetëm 500 metra më larg. Sipas programeve të përcaktuara nga agjencitë turistike pritëse, një pjesë e udhëtarëve do të vizitojnë edhe qytetet e Tiranës dhe Krujës.

Gjatë këtij sezoni veror kanë konfirmuar rreth 25 lundrime drejt Durrësit kroçerat “Arion” dhe “Kristina Katerina”, të cilat janë bërë të njohura në qytetin bregdetar që nga sezoni i kaluar turistik.

Vitet e fundit porti detar i Durrësit është bërë pjesë e itinerareve më të rëndësishme Mesdhetare të kompanive prestigjoze turistike botërore. Udhëtimet turistike të anijeve përfshijnë edhe një pjesë të ishujve të Greqisë, si dhe portet kryesore të Kroacisë, Malit të Zi dhe Italisë.