Tiranë – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani iu bëri thirrjeve bizneseve dhe konsumatorëve të dalin nga pasiguria. Sipas tij, gjendja e ekonomisë nuk e justifikon një qëndrim të tillë, ndaj aktorët ekonomikë duhet t’i rikthehen konsumit dhe investimeve.
“Vrojtimet e tremujorit të parë të vitit 2011 tregojnë se pasiguria për të ardhmen vlerësohet e lartë nga konsumatorët, duke ndikuar qëndrueshmërinë e rritjes së konsumit për periudhat në vazhdim. Banka e Shqipërisë gjykon se në terma afatshkurtër konsumatori shqiptar ka hapësirë për adoptimin e një sjellje me racionale në drejtim të zgjerimit të konsumit”, tha Fullani.
Guvernatori shtoi se rritja e shpenzimeve mund të mbështetet plotësisht nga rritja e kreditimit, ndërkohë që ju kërkoi bankave të vazhdojnë pastrimin e bilanceve nga kreditë problematike.
Banka e Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.25%. Guvernatori Fullani tha se sezoni i prodhimit vendas do të stabilizojë çmimet e prodhimeve bujqësore duke ulur disi presionet inflacioniste, por theksoi edhe njëherë nevojën e forcimit të masave për nxitjen e prodhimit në vend.
Thursday, 28 April 2011 09:12