Tiranë – Ligji për faljen e detyrimeve i jep fund dhe mbyll një kapitull, ku evazioni dhe informaliteti kanë qenë dominant dhe për t’ju adresuar një epoke të re të konkurrencës dhe veprimit të ligjit.
“Rritja e kapaciteteve administrative, forcimi i zbatimit të ligjit dhe njëkohësisht ulja tërësore e barrierave fiskale dhe administrative për biznesin, tashmë e kanë bërë të qartë se qenia në treg, sipas ligjit, pagimi i taksave të ulëta sipas ligjit, ka një kosto më të ulët për biznesin se sa fshehja e tyre dhe manipulimi i të gjithë aktivitetit të tyre ekonomik dhe kapitaleve që disponojnë”, deklaroi një ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode.
Ndërkohë për efektin financiar të këtij ligji, Bode u shpreh se shumat që falen janë të mëdha, qoftë të detyrimeve apo dhe të gjithë penaliteteve që lidhen me këto detyrime. “Nga përllogaritjet tona vetëm falja e detyrimeve të prapambetura shkon në rreth 40 miliardë lekë të reja, ndërkohë që një sërë lehtësirash të reja i krijohen biznesit për të kapërcyer atë fazë jo fort të këndshme që ka aktualisht me organet fiskale dhe në këtë kuptim mendoj që përfitimi për biznesin dhe qytetarët është akoma më i madh, po të flasim në pjesën që përfiton qytetari është dhe më i madh”, theksoi Bode.
Referuar eksperiencës së vendeve të tjera, që kanë zbatuar të tilla amnisti, pas një periudhe informaliteti dhe mungese të ligjit, Bode tha se kanë dhënë efekte pozitive edhe në të ardhurat vjetore të buxhetit. Kjo nismë ka çliruar në perspektivë nga detyrimet e rritura një sërë kompanish dhe një grup të madh qytetarësh. Në bazë të ligjit të miratuar dy ditë më parë në Kuvend, vetëm qytetarët nga shitja e pasurisë së tyre përfitojnë një ulje që është sa 1/10 e asaj që do të paguanin në momentin e shitjes.
Sikur opozita të kishte dhënë konsensusin dhe do të kishte votuar, ligji do të përfshinte dhe amnistinë penale për disa kundravajtje penale që lidhen kryesisht me tatimet dhe taksat si dhe një sërë çështjesh që sot janë në ndjekje dhe gjykim nga prokuroria apo sistemi gjyqësor për fshehjen e taksave, të klasifikuara si kundravajtje penale.
Pavarësisht kësaj, ky ligj është gjithëpërfshirës jo vetëm për sa i përket subjekteve që u drejtohet, por edhe fushës së mbulimit të tij. Ai ofron një garanci solide që qytetarët dhe bizneset, që nuk kanë deklaruar apo paguar taksat e tatimet, të deklarojnë dhe legalizojnë këto kapitale dhe të shkëpusin njëherë e përgjithmonë lidhjet me një të kaluar fiskale problematike, jotransparente dhe antiligjore.
Çfarë përfshin ligji që u miratua në Kuvend: legalizimin e kapitalit (të vlerave monetare) të qytetarëve dhe personave fizikë; rivleresimin e aseteve të qytetarëve dhe të bizneseve; vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore për periudhat e mëparshme për të gjithë komunitetin e biznesit; faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore për qytetarët dhe për bizneset, përfshi dhe gjobat për makinat; faljen e faturave të papaguara të energjise elektrike dhe të ujësjellësave deri në momentin që këto shërbime janë ofruar nga kompani në pronësi të Qeverisë.
Çfarë nuk është përfshirë në këtë iniciativë, në ligjin e miratuar nga Kuvendi?
Nuk përfitojnë nga legalizimi i të ardhurave monetare apo nga falja e disa prej detyrimeve tatimore, zyrtarët si dhe personat e lidhur me ta, që kanë apo kanë pasur detyrimin për deklarim te pasurisë se tyre. Ky ligj në përgjithësi, nuk do te prekë asnjë nga procedurat administrative apo penale qe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka ndërmarrë apo do të ndërmarrë në të ardhmen ndaj personave që kanë detyrimin ligjor për të bërë deklarimin e pasurisë. Natyrisht, jashtë këtij ligji mbeten të gjitha ato vlera monetare apo pasuri të krijuara nga krimi i organizuar, trafiku dhe korrupsioni.
Saturday, 23 April 2011 09:11