Kukës – Rikonstruksioni tërësor i segmentit Aeroport-Domaj mundëson lidhjen e banorëve të rrethit të Dibrës me aeroportin e Kukësit dhe me Kosovën.
“Pas rikonstruksionit të 2 segmenteve të tjera deri në Bushtricë dhe deri në kufirin administrativ të rrethit të Dibrës, ku procesi ka hyrë në fazën e asfaltimit, rikonstruksioni i këtij segmenti i jep një zgjidhje përfundimtare lidhjes së rrethit të Dibrës me Kosovën”, thotë kryetari i këshillit të qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka.
Kompania fituese do te nies punën këto ditë. Gjerësia e rrugës do të jetë 6 metra dhe e asfaltuar, kur më parë rruga ishte njëkalimëshe. i gjithë projekti është përgatitur nga specialistët e këshillit të qarkut”, thotë Bruka.
Rruga në fillimet e saj kalon nëpër 3 qendra të banuara, në fshatrat Nangë, Canaj dhe Osmane. Ajo është parashikuar të këtë edhe ndricim dhe trotuare për shkak të shmangies së aksidenteve në këto fshatra. Edhe në zona jo të banuara rruga është me një gjërësi prej 6 metrash. “Problematike janë 2 zona të rrëshqitshme në afërsi të fshatit Kolosjan ku kalon rruga, por nga projektuesi është menduar zgjidhja me synim minimizimin e dëmeve në këto zona të rrëshqitshme”, thotë Bruka.
Për zgjidhjen afatgjatë të problemit, rikonstruksioni tërësor që përfshin edhe zgjerimin në të gjithë gjatësinë e rrugës, e nevojshme është edhe shpronësimi në disa segmente, proces që ka nisur e që pritet të përfundojë së shpejti.
E gjithë kostoja e rikonstruksionit të këtij segmenti rrugor me gjatësi 10,2 kilometra arrin në 301786720 lekë.
Rikonstruksioni i këtij segmenti jo vetëm lidh Dibrën me Kosovën, por edhe banorët e fshatrave të komunave të Ujmishtit, Kalisit, Bushtricës dhe Grykë Cajës me pjesën tjetër të vendit.
Friday, 22 April 2011 11:09