Prishtinë – Trepça paraqet brezin më të pasur të mineraleve të plumbit dhe zinkut në Evropë, sipas ish-drejtorit të gjigantit të dikurshëm të ekonomisë kosovare, Nazmi Mikullovci.
Në konferencën “Trepça- dje, sot dhe nesër”, të organizuar në fundjavë nga Lëvizja Vetëvendosje, ai tha se potenciali kryesor të kësaj kompanie është brezi mineral.
“Ky brez është i gjatë afërsisht 80 kilometra, ku ka numër të madh të minierave ose rezervave të vërtetuara dhe paraqet brezin më të pasur të mineraleve të plumbit dhe zinkut në Evropë”, u shpreh Mikullovci.
Sipas tij, programi i mëtejmë për futjen e Trepçës në prodhim duhet të përfshijë “shpalljen e saj ndërmarrje publike nga Kuvendi; intensifikimin e hulumtimeve gjeologjike; pagesën e borxhit prej 50 milionë nga Qeveria, (kur dihet se pasuria e Trepçes është afro 10 miliardë euro)”.
“Përmes këtij programi, do të mund të restauroheshin minierat ekzistuese dhe hapja e minierave të reja, ngritja e kapaciteteve për furnizim natyral në metalurgjinë e zinkut dhe ngritja e kapaciteteve të saj në 80 mijë tonelata”, ka thënë ish-drejtuesi i Trepçës.
Sipas komunikatës nga Lëvizja Vetëvendosje, në tribunë është vlerësuar se Trepça me prodhim dhe me eksperiencë do të ishte parakusht i rëndësishëm për investimet vendore dhe të jashtme në ngritjen e kapaciteteve dhe do të bëhej një shtyllë e rëndësishmë e ekonomisë kosovare.
Është theksuar se “Trepça e nesërme do të vlente më shumë së Trepça e djeshme, dhe do të siguronte një zhvillim ekonomik të mbështetur në prodhim vendor”.
Sipas medias, Mikullovci ka përkujtuar se “në vitin 2000 Trepça kaloi nën administrimin e UNMIK-ut dhe deri në vitin 2003 ajo u financua vetëm për tu ruajtur nga përmbytjet e ujit dhe për mbrojtjen e objekteve dhe stabilimenteve industriale. Ndërkaq, në vitin 2005, Trepça filloi punën me disa mjete të vjetra, kështu që minierat sot prodhojnë me rreth 15 për qind të kapacitetit që kanë”.
Sunday, 17 April 2011 09:48