Prishtinë – Në Qendrën Emergjente çdo ditë regjistrohen raste të helmuarish nga ushqimet. Autoritetet shëndetësore apelojnë te qytetarët që të shtojnë higjienën personale. Rreth 12 pacientë çdo ditë i drejtohen qendrës emergjente pasi konsumojnë ushqime jo të freskëta. Mjeku Basri Lenjani sqaron se qendra emergjente gjatë sezonit veror regjistron më tepër raste si pasojë e helmimit nga produktet ushqimore. Sipas tij, një pjesë e këtyre pacientëve dërgohen në klinikën infektive për trajtim të mëtutjeshëm.
Për tu parandaluar helmimet, Lenjani porosit qytetarët që të kenë kujdes në higjienën dhe kushtet e përgatitjes së ushqimit. Ndërkohë Valdet Gjinovci shef i Agjensionit për Ushqim dhe Veterinari tha se qytetarët e Kosovës konsumojnë ushqim të sigurt , cilësor dhe të kontrolluar. Sipas tij, qytetarët duhet të kenë kujdes vetëm në rastet kur ata vendosin të ushqehen në lokale të cilat servojnë ushqim.
“Jemi në kohën e verës ku temperaturat janë të larta, mirëpo qytetarët mund të them se konsumojnë ushqim të sigurt cilësor, të kontrolluar, shpeshherë edhe të testuar në laboratorin e Institutit Kombëtar për Shëndet Publik. Pasojat nga helmimet në kushtet e verës, zakonisht mund të vijnë nga ato lokale të cilat nuk e respektojnë higjienën dhe kushtet e punës”, tha Gjinovci.
Ai, po ashtu ka pranuar se numri i inspektorëve është mjaft i vogël për të kontrolluar të gjitha lokalet, të cilat shërbejnë ushqim. Megjithatë, ai tha se vetëm këtë vit janë konfiskuar rreth 450 ton mish të pasigurt.
Monday, 27 June 2011 12:16