Prishtinë – Interneti është pjesë e përditshme e jetës jo vetëm për të rriturit, por edhe për fëmijët. Ajo që shqetëson më shumë shoqërinë tonë, është përdorimi i tepruar i internetit nga ana e fëmijëve, të cilët i vizitojnë edhe faqet e ndaluara për të miturit.
Për këtë qëllim, sot në Prishtinë u mbajt një konferencë organizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Microsoft, Projektin e USAID-it për arsimin fillor dhe Suisskontakt.
Shumë fëmijë mendojnë se interneti është një mjet i domosdoshëm për të marrë informacion, për të kaluar një pjesë të kohës së lirë, pse jo edhe për të dëgjuar muzikë. Disa prej tyre e pranojnë se ka edhe anën negative, duke qëndruar me orë të tëra në internet.
Siguria e Fëmijëve në Internet, ishte konferenca e parë që u organizua nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Microsoft, projektin e USAID-it dhe Suiskontakt. Kjo konferencë kishte për qëllim të rrisë vetëdijen për rolin e mësuesve, prindërve dhe bashkësisë për sigurinë e fëmijëve në internet.
Zv/ministri i Arsimit Nehat Mustafa, shprehu përkushtimin e ministrisë për zhvillimin e teknologjisë informative edhe në sistemin arsimor. Por, ai tha se duhet të vetëdijesohet e gjithë shoqëria për rreziqet që mund të bartë interneti.
Përfaqësues të Microsoft, USAID-it, dhe Suiskontakt, shprehën nevojën e përfshirjes së teknologjisë informative nëpër shkolla, për t’u siguruar nxënësve dhe mësimdhënësve qasje në programe e kurrikula, që ndihmojnë integrimin e plotë të teknologjisë në procesin e mësimit.
Tuesday, 31 May 2011 12:32