Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha sot se “për qeverinë shqiptare mbetet përparësi riaftësimi shëndetësor dhe ripërfshirja në jetën ekonomike sociale të personave të dëmtuar nga minat si dhe për familjet e viktimave”.
Gjatë simpoziumit ndërkombëtar mbi “Forcimin e Bashkëpunimit dhe Asistencës ndaj Viktimave të Minave, në zbatim të qëllimeve të Konventës për Ndalimin e Minave anti-personel”, që organizohet në kuadër të Presidencës shqiptare të Konventës së Otava-s, Haxhinasto theksoi se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar që t’i ofrohet asistenca e nevojshme kësaj kategorie.
“Mjaft sfida qëndrojnë para nesh, por kryesore është përmirësimi i cilësisë së jetës të këtyre të mbijetuarve dhe për këtë Presidenca shqiptare ka si prioritet të saj asistencën ndaj familjeve të viktimave”, nënvizoi Haxhinasto.
Ai e cilësoi me rëndësi që kjo kategori personash të ketë akses më të madh ndaj shërbimeve dhe programeve të dizajnuara në favor të tyre.
Zv/kryeministri theksoi se “sfida më e madhe është edhe riintensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurimin e burimeve financiare, teknike dhe njerëzore për të garantuar asistencën e nevojshme për këtë kategori”.
Kreu i diplomacisë shqiptare vuri në dukje se krahas procesit të çminimit të zonave në verilindje të vendit, ka vazhduar edhe përkujdesja dhe mbështetja ndaj të mbijetuarve nga aksidentet me minat dhe municionet e paplasura në këto zona.
“Në sajë të bashkëpunimit me qendrat shqiptare të veprimit ndaj minave, institucionet shëndetësore shqiptare dhe ato ndërkombëtare, është realizuar ngritja e kapaciteteve në vend dhe është siguruar ndihmë mjekësore e nevojshme për riaftësimin fizik dhe psiko-social të të gjithë të dëmtuarve”, u shpreh ai.
Haxhinasto nënvizoi se strukturat dhe kapacitetet e ngritura, në kuadër të programit shqiptar të veprimit të minave, u shërbejnë jo vetëm të dëmtuarve nga minat dhe municionet, por edhe personave me aftësi të kufizuar.
“Në procesin e hartimit, implementimit dhe monitorimit të planit kombëtar të veprimit është angazhuar edhe shoqëria civile dhe vetë familjet e viktimave të dëmtuara dhe kjo ka sjellë një program më produktiv, më gjithëpërfshirës dhe më të lehtë për tu realizuar”, përfundoi zv/ kryeministri Haxhinasto.
Tuesday, 31 May 2011 12:00