Shkup – Pas alarmit të ngritur në vendet e Evropës për shkak të viktimave që sollën ushqimet e prekura nga bakteria E.coli, frika erdhi edhe në Maqedoni. Tek ne ka persona që janë të sëmurë me E. coli. Sipas specialistëve infektologë, E. coli është një banor normal në traktin e tretjes tek njerëzit dhe kafshët. Gjenden në ujë dhe ushqime. Në ushqim shumohet shpejt. Zakonisht është jopatogjen. Por ka edhe variacione patogjene që shkakton më shumë sëmundje.
“Disavariacione patogjene të shkaktuara nga E.coli janë enetrokolitet dhe kolitet. Mund të kalojë në sëmundje akute të veshkave. Fëmijët nën 5 vjeç dhe njerëzit e moshuar janë më të ndjeshëm. Një burim i rëndësishëm i infeksionit është ushqimi i kontaminuar dhe i papërpunuar mire termikisht me origjinë shtazore, mishi dhe produktet e mishit, qumështi dhe produktet e qumështit. Rezervuari E. coli janë fekalet e maceve, deleve dhive. Ky mikroorganizëm mund të infektojë mishin dhe qumështin e kafshëve gjatë përpunimit të papërshtatshëm higjenik”, thonë specialistë nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Nga ky institut theksojnë se ata disponojnë teknika imunologjike dhe kulturale për zbulimin e E. coli. Në reparte infektive jo vetëm në Shkup ka persona të prekur me këtë mikroorganizëm të rrezikshëm. Në buletinin e fundit të publikuar për sëmundjet ngjitëse që qarkullojnë në vend, enterokoliti kishte 797 raste të paraqitura. Kjo situate duket se është e vazhdueshme pasi në shkurt ka patur 791 raste me enterokolit. Nëse krahasohet në veçanti me sëmundje të tjera, gjatë muajit mars, enterokoliti ishte sëmundja që kishte më tepër të sëmurë. Nga Inspektorati sanitar tregojnë se kontrolle të vazhdueshme bëjnë në shitore dhe vende të tjera ku tregtohen ushqime, por se nuk ka të dhëna për shpërndarje të E.coli nga këto vende që kanë kaluar nëpër kontrolle. Uji i papastër, ushqimet e palara, qumështi dhe mishi i papërpunuar në kushte specifike, kanë bërë që për këtë sëmundje të kemi më tepër të sëmurë se çdo sëmundje tjetër ngjitëse. Masa shtesë pas këtij numri nga muaji në muaj në rritje, nuk janë marrë përveç rekomandimeve publike jo të mjaftueshme për të ndryshuar këtë situatë. “Përpunim i mire termik i produkteve ushqimore me origjinë shtazore, duke përfshirë edhe ato të ngrira. Larje e mire dhe e hollësishme e perimeve dhe pemëve me ujë të pastër dhe pa baktere. Higjienë e mirë e sipërfaqeve të punës dhe të instrumenteve për përpunimin e ushqimit. Larja e vazhdueshme e duarve”, rekomandojnë për popullatën nga ISHP-ja.
Monday, 30 May 2011 15:46