Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 18:21

Prishtinë – Shërbimet shëndetësore, të cilat nuk mund t`i ofrojë sektori publik shëndetësor, pacientët tani e tutje do të mund t`i marrin në spitalet private. Ministria e Shëndetësisë do të paguajë shërbimet për pacientët, të cilët klasifikohen si raste të dedikuara për shërbime në sektorin privat. Një pjesë e fondit të Ministrisë së Shëndetësisë, e dedikuar për pacientët për shërim jashtë vendit, tani e tutje do të shfrytëzohet brenda Kosovës. Rreth 20 institucione shëndetësore private kanë shprehur interesim që të lidhin marrveshjeje  me Ministrinë e Shëndetësisë për ato shërbime, të cilat i mungojnë sektorit publik.

Ministri Ferid Agani tha se “synimi themelor është që qytetarët e vendit të  mos dalin jashtë vendit për ato shërbime të cilat mund t’i ofrojë sektori privat shëndetësor, normalisht ata të cilët janë të licencuar”.

Ministria e Shëndetësisë deri më tani, ka paguar më së shumti për pacientët që kanë pasur nevojë për radio-terapi, ndërhyrje në  fushën e kardio-kirurgjisë, kirurgjisë spinale etj.

Ministri Agani tha se do të angazhohet që sektori publik shëndetësor të avansohet. Fondi i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e pacientëve jashtë sektorit publik është dy milionë euro.