Sarandë – Zyrat e degës së ISKSH në qytetin e Sarandës janë bërë ndër më të kërkuarat nga banorë të qytetit dhe fshatrave, ku vihet re interesim në rritje për t’u pajisur me librezat shëndetësore.
Resul Piro, drejtor i ISKSH, e konsideron këtë interes si një reagim qytetar ndaj vendosjes së tarifave standarde, për vizitat në mjekun e familjes dhe diagnostikime të ndryshme, ku qytetarit i intereson të jetë i pajisur me librezën shëndetësore.
“Falë shpejtimit të procedurave për marrjen e këtij dokumenti, vjet rreth 11 mijë persona u pajisën me librezë shëndetësore”, shprehet Piro, sipas te cilit, sivjet, interesi ka qenë në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Kjo shpjegon edhe fluksin e shtuar të qytetarëve që kërkojnë këtë shërbim, thotë ai.
“Deri në fund të marsit llogaritet në 2200 vetë numri i personave që kanë marrë librezat e shëndetit në degën e ISKSH Sarandë, ku kategoritë më të interesuara janë ato të moshave të treta. Ndërgjegjësimi është rritur edhe tek kategoritë e tjera për të përfituar shërbim shëndetësor të rimbursueshëm”, theksoi Piro.
Tuesday, 24 May 2011 07:43