Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 10:49

Tiranë – E nisin duhanin mes shokësh, që të duken më të mëdhenj e të pjekur, por ndonjëherë edhe si shenjë revolte ndaj të tjerëve më të medhenj se ata, si mësues, prindër, etj.

“E nisëm duhanin mes shokësh, ndërsa tani vazhdoj ta pij rregullisht”, thotë Gledi, një djalë 18 vjeçar nga Tirana. Në shoqërinë e tij pothuajse të gjithë pijnë duhan, na tregon ai. E teksa e pyes nëse është i vetëdijshëm për dëmet nga duhani, Gledi përgjigjet se ka dëgjuar shumë për to, por “ka rreziqe edhe më të mëdha sesa duhani”.

Të rinjtë dhe adoleshentët mendojnë se “duhani është më pak i dëmshëm se veset e tjerë. Një paketë cigare nuk sjell ndonjë dëm të madh”.

Nisur nga kjo, specialistët e shëndetit publik sqarojnë se “të rinjtë nuk e kanë të qartë sesa do të ‘harxhonin’, duke blerë për ditë nga 1 ose 2 paketa”. “Shpesh fëmijët imitojnë të rriturit, duke filluar sidomos në vitet e para të adoleshencës (12 deri në 13 vjeç) të pijnë duhan dhe kjo sepse në këtë moshë ata nuk janë as të informuar dhe as në gjendje të imagjinojnë rreziqet që u kanosen nga duhani”, thonë specialistët.

Të rinjtë e shkollave 9 vjeçare përgjithësisht nuk paraqesin probleme, por shqetësues mbetet ky fenomen tek të rinjtë e shkollave të mesme. Sipas specialistëve, në këtë periudhë ata kalojnë nga shkolla nëntëvjeçare në shkollë të mesme, në të cilën adoleshentët konsiderohen si pjesa më e re e të rinjve. Kjo gjë i shtyn ata që të identifikojnë veten me të rinjtë e tjerë, duke filluar të provojnë ato gjëra që bëjnë më të rriturit se ata.

Nderkohë, të dhënat nga ISHP tregojnë se mbi 8 në 10 nxënës jetojnë në shtëpi ku të tjerët pijnë duhan në praninë e tyre, 9 në 10 janë të ekspozuar nga duhanpirja në vendet publike, ndërsa pothuajse gjysma e nxënësve kanë prindër duhanpirës.

Edhe mësuesit e shkollave nga ana e tyre kërkojnë më tepër bashkëpunim me familjet për të mbajtur larg duhanpirjes fëmijët, sidomos atë kategori të cilësuar si “e gatshme për t’u rekrutuar si duhanpirës”. Pa shmangur përgjegjësinë, mësuesit thonë se përpiqen t’i mbajnë nxënësit larg duhanit, por mbetet shumë për t’u bërë në familje. “Nxënësit respektojnë rregulloren, duke mos pirë duhan në ambientet e shkollës dhe gjatë orarit mësimor”, shprehen ata.

Sipas të dhënave të OBSH-së, në Shqipëri në çdo katër persona duhanpirës, në tre prej tyre prindi (babai) ka pirë duhan, gjë që tregon se një adoleshent është shumë i prirur për t’u bërë duhanpirës në qoftë se prindërit e tij janë përdorues të rregullt të duhanit.

Ndërkohë, pavarësisht se “duhani i pirë sot nuk paraqet dëme tek të rinjtë”, specialistët dhe vetë të rinjtë te angazhuar ne fushata përcjellin mesazhe të fokusuara kryesisht në faktin se “duhani vret të ardhmen”.

Sëmundjet kardivaskulare dhe ato kancerogjene në Shqipëri janë të larta dhe mund të pritet që ato të rriten nëse do të ketë tendenca të rritjes së duhanpirjes. Në vendin tonë, rreth 85 % e duhanpirësve fillojnë të pijnë duhan para moshës 18 vjeç. Ndërsa në botë, sipas OBSH-së, bëhen çdo ditë duhanpirës rreth 80 000 deri 110 000 të rinj dhe fëmijë më të rritur.