Prishtinë – Të premten në Prishtinë hap panairi “Berza e Punësimit Kosova 2011”, i cili, sipas organizatorëve, ka për qëllim sado pak të ndikojë në zbutjen e papunësisë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini duke e vlerësuar si të rëndësishëm organizimin e këtij panairi, beson se bizneset vendore dhe ato ndërkombëtare, do të ofrojnë më shumë mundësi për punësim.
Kreu i AKB-së shtoi se me këtë formë është duke u menduar që të zbutet sado pak kriza e papunësisë në vend.
Ndërsa, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq konstatoi se e ardhmja nuk do të jetë e lehtë në këtë drejtim, por sipas tij, duhet që së bashku të punojmë më shumë, që të zbusim papunësinë.
“Kjo nuk do të jetë e lehtë, nuk është tash, as nuk do të jetë në të ardhmen, por nëse tri shtylla kryesore të shoqërisë kosovare krijojnë shumë shpejt, kjo të reflektojë me një sukses të madh. Tri shtyllat kryesorë të shoqërisë kosovare janë: pushteti, komiteti i bizneseve dhe punëkërkuesit apo populli dhe prej sot unë ju ftoj, nëse mund të them për një patriotizëm ekonomik. Punëdhënësit ju lutem duhet të kuptoni situatën e shoqërisë kosovare, duhet të kuptoni çdo person, çdo individ që është këtu sot”, ka thënë Rashiq.
“Berza e Punësimit” në Prishtinë ka filluar nga ora 10:00 dhe do të jetë e hapur deri në orën 15:00, ndërsa më 31 maj ky panair do të organizohet në komunën e Gjakovës. Berza e punësimit është hapur paraprakisht edhe në disa qendra tjera të vendit.Panairi po mbahet nën patronatin e Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Friday, 20 May 2011 18:56