Tiranë – Kryeministri Sali Berisha tha sot se “është shumë e domosdoshme që të ketë një përpjekje të gjithanshme për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjes së kancerit”.
Kryeministri përshëndeti sot punimet e Konferencës Mesdhetare për Kontrollin e Kancerit, ku u diskutuan masat që ndikojnë në parandalimin e kësaj sëmundje.
Duke marrë fjalën në këtë konferencë, Berisha tha se incidenca e kësaj sëmundje nuk ka të ndalur dhe është shumë e domosdoshme të ketë përqendrim në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të saj.
“Asgjë nuk mund të ndihmojë një të prekur nga kjo sëmundje më shumë se sa diagnoza e hershme. Mendoj se incidenca e sëmundjes, graviteti i saj, na ftojnë që të jemi shumë më të përqendruar në këtë mision të madh, si të parandalimit, ashtu dhe të diagnozës së hershme”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Sipas Berishës, “qëndrimi multidimensional, politik, psikosocial, ekonomik dhe para së gjithash mjekësor, është rruga e vetme që ne të mund të arrijmë të shënojmë një kthesë të rëndësishme në parandalimin e kësaj sëmundje”.
“Qeveria shqiptare sheh me shqetësim të madh rritjen e incidencës nga sëmundjet neoplazike. Në Shqipëri është i domosdoshëm të mbahet një qëndrim i ri ndaj tyre. Krahas kësaj, le të bëhet gjithçka për metodat e diagnostikimit të hershëm dhe të kurimit më modern të kësaj sëmundje”, tha Berisha.
Në këtë drejtim, ai siguroi Ministrinë e Shëndetësisë, punonjësit e onkologjisë dhe të gjithë studiuesit se qeveria do t’i mbështesë me përparësi në punën e tyre.
Në këtë konferencë merrnin pjesë ministra të Shëndetësisë, studiues, akademikë, mjek nga Shqipëria, vende të rajonit dhe më gjerë.
Friday, 29 April 2011 12:27