Kukës – Tregu i bimëve medicinale në rrethin e Kukësit ka ardhur gjithnjë duke u zgjeruar si rrjedhojë e rritjes së interesit për to. Tashmë është fillimi i punës për banorët e kësaj zone që nisin mbledhjen e tregtimin e bimëve medicinale dhe aromatike.
Ky eshtë një biznes fitimprurës për banorët e zonave rurale. Duke e patur të garantuar tregun, kjo pasuri është bërë gjithnjë e më tepër e kërkuar nga biznesi privat që edhe ai e ka të garantuar tregun e eksportit.
“Është një nga pasuritë e mëdha që kanë banorët e zonës verilindore, një pasuri për të cilën ka ardhur në rritje interesi për ta shfrytëzuar. Problemi është se duhet rritur kujdesi për të e jo të lihet të shfrytëzohet pa kriter”, thotë botanisti Besnik Hallaci. Sipas tij, masivet e mëdha pyjore të kësaj zone përmbajnë shumë bimë medicinale e aromatike, por problemi është se ato po shfrytëzohen pa kriter, gjë që sjell rrezikun e zhdukjes së ndonjë prej tyre”.
Vetëm në pyjet e livadhet e qarkut të Kukësit rriten mbi 120 lloje të ndryshme bimësh mjekësore, ku vend kryesor e zënë sherbelja, boronica, shtogu, agulicja, lule manushaqja etj.
Interesi në rritje për bimët medicinale ka bërë që disa prej fermerëve të nisin mbjelljen e tokës bujqësore me to. Kështu ka ndodhur me fermerin Destan Hallaci nga Bregluma, i cili ka mbjellë një sipërfaqe prej një dynym e gjysmë me sherbele. “është viti i dytë që e mbjell këtë sipërfaqe, pasi vitin e kaluar më ka siguruar të ardhura të konsuderueshme”, thotë ai.
Kështu ndodh edhe në fshatin Surroj,ku Gëzim Vata ka mbjellë një sipërfaqë jo të vogël me shërbele, apo në fshatin Novosej, ku Selman Noka që ka mbjellë gentianën, një bimë medicinale mjaft e kërkuar, por që është drejt zhdukjes etj.
Interesi ka ardhur në rritje edhe nga biznesmenët privatë që nxisin banorët për mbledhjen e grumbullimin e bimëve medicinale e aromatike. “Te them të drejtën, këtë vit ka një interes më të madh nga biznesmenët, që tani kanë kontaktuar me ne për grumbullimin e bimëve medicinale si, shërbeles, agulicës e lule manushaqes që këtej janë me shumicë”, thotë Besim Zeneli nga fshati Borje. Por, askush nuk di të thotë se sa është numri i biznesmenëve të interesuar për grumbullimin e këtij produkti. Kjo për faktin se janë të palicensuar, ndërsa punën e kryejnë thjesht duke bashkëpunuar me fermerët e zonave rurale, ku edhe kontrolli është minimal.
Tregtarët interesohen dhe hyjnë në marrëveshje me banorët për grumbullimin në kohë e afat të bimëve. Një gjë e tillë ndodh sepse, nuk ka ndonjë firmë private të licensuar për grumbullimin e tregtimin e bimëve medicinale, gjë që përbën një problem më vete për organet tatimpaguese dhe të pushtetit vendor.
Tuesday, 26 April 2011 06:24