Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 12:05

Tiranë – Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham, u bëri thirrje sot dy forcave kryesore politike në vend që të besojnë në punën e Kolegjit Zgjedhor.

Gjatë një prononcimi televiziv, ambasadorja apeloi gjithashtu që Kolegji Zgjedhor të veprojë në bazë të ligjeve të vendit për shpalljen e rezultatit përfundimtar për kryebashkiakun e Tiranës.

“Duhet t’i lëmë institucionet që të jenë të pavarura dhe me integritet. Të gjithë e kemi thënë, edhe baronesha Ashton ka thënë që do të presim vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe se partitë politike duhet të pranojnë këtë vendim”, deklaroi Mcllwham.

Duke kërkuar nga palët më shumë besim për transparencën e procesit zgjedhor dhe në profesionalizmin e Kolegjit Zgjedhor, ambasadorja britanike nënvizoi se “presim gjithashtu që Kolegji Zgjedhor të japë një qëndrim profesional dhe të pavarur lidhur me këtë”.