Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 15:33

Tiranë – Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi u shpreh sot në një komunikim për mediat se, PS e mirëpret përfshirjen e Komisionit të Venecias në procesin zgjedhor të 8 Majit.

“Partia Socialiste falënderon miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë që janë shprehur për prishjen e integritetit të zgjedhjeve nga KQZ. Mirëpresim përfshirjen e Komisionit të Venecias në përpjekjen për t’i shpëtuar zgjedhjet e 8 Majit”.

Më tej, Klosi tha se “deri në 14 maj, votat e hedhura në kutinë e gabuar janë konsideruar të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë dhe u bënë të vlefshme vetëm në kohën shtesë jo për të dëgjuar zërin e çdo qytetari por për të pushtuar të gjithë Tiranën e gjithë Shqipërinë”.

Sipas tij, KQZ ka shtuar në mënyrë arbitrare vota për Lulzim Bashën në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës, ndaj kandidatit tjetër, Edi Rama.

Klosi, duke analizuar në mënyrë të detajuar numrin e zgjedhësve dhe votave në çdo qendër votimi në të 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, tha se “ka pasur më shumë vota se zgjedhës në disa prej tyre”.