Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 13:10

Tiranë – Partia Socialiste kërkoi pezullimin e ankimimeve që po shqyrton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në pritje të vendimit të datës 3 qershor të Kolegjit Zgjedhor për ankimin e saj për shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së të datës 23 maj, vendimi i cili i hapi rrugë shpalljes së tabelës përmbledhëse të rezultatit të njësisë 5, KZAZ-ja 49, si dhe të tabelës përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës, pasi u bë vlerësimi dhe numërimi i votave për kryetar bashkie, gjendur në kuti të tjera.

PS e ankimoi në kolegj këtë vendim dhe në KQZ dy tabelat e rezultateve, për shqyrtimin e të cilave këtë të hënë kërkoi pezullim.

Sipas përfaqësuesve të saj, ankimimet në KQZ me atë në Kolegj lidhen ngusht me njëra-tjetrën, por demokratët thanë se bëhet fjalë për vendime të ndryshme dhe se nuk mund të bllokohet procesi, siç kanë kërkuar socialistët që kur bojkotuan KQZ-në kur duhej përgatitur infrastruktura për zgjedhjet e 8 majit.

Votimi 4 me 3 i hapi rrugë shqyrtimit të ankesave. Më pas palët vijuan me parashtrimin e argumentave për kërkesat e tyre ankimore. Ndërsa socialistët kërkojnë pavlefshmërinë e tabelave të rezultateve, demokratet kërkojnë përfshirjen në to pas rivlerësimit edhe të votave të kontestuara.

Janë 403 vota të tilla në 26 kuti votimi.