Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi sot propozimin e PS-së për të pezulluar kërkesën ankimore të paraqitur prej saj për rezultatin e bashkisë në Tiranë.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke kundërshtuar propozimin e socialistëve, tha se “kërkesa për pezullim duhej bërë bashkë me padinë e themelit në gjykatë, por nga PS u zgjodh kjo rrugë qe synon të pengojë punën e KQZ-së për të përmbyllur detyrat e saj ligjore”.
Në fillim të mbledhjes së sotme, përfaqësuesit ligjorë të PS-së kërkuan pezullimin e ankimimit, duke e argumentuar këtë me faktin se çështja është në shqyrtim nga Kolegji Zgjedhor. Sipas tyre, KQZ duhet të pezullojë këtë gykim, pasi kjo është një e drejtë procedurale që po gjykohet nga një organ më i lartë gjyqësor, siç është Kolegji Zgjedhor.
Kërkesa e paraqitur nga PS kërkon pavlefshmëri të rezultateve të KZAZ-nr. 49, njësia bashkiake 5, si dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përfundimtare të Bashkisë Tiranë.
Ndërsa, kërkesa e PD-së kërkon rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake të kryeqytetit dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare.
Monday, 30 May 2011 11:57