Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot mbledhjen për shqyrtimin e kërkesave ankimore me ankimimin e paraqitur nga Partia Socialiste për rezultatin e bashkisë në Tiranë.
Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesit ligjorë të PS-së kërkuan pezullimin e ankimimit, duke e argumentuar këtë me faktin se çështja është në shqyrtim nga Kolegji Zgjedhor.
“KQZ duhe të pezullojë këtë gjykim, pasi kjo është një e drejtë procedurale që po gjykohet nga një organ më i lartë gjyqësor, siç është Kolegji Zgjedhor”, tha anëtari i KQZ, i propozuar nga PS, Artan Laze.
Kundër këtij qëndrimi janë shprehur përfaqësuesit e djathtë, sipas të cilëve KQZ duhet të vijojë me rendin e ditës, pasi kërkesat ankimore janë bërë me vullnet të lirë të vetë subjekteve të interesuara.
Kërkesa PS-së konteston rezultatet e KZAZ-nr. 49, njësia bashkiake 5, si dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përfundimtare të Bashkisë së Tiranës.
Ndërsa, kërkesa e PD-së kërkon rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake të kryeqytetit dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare.
Monday, 30 May 2011 11:07