Tiranë – Sekretari për Çështjet Ligjore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ylli Manjani tha në një konferencë për shtyp të dielën se “humbja në zgjedhjet e 8 majit e kryetarit të PS-së, Edi Rama në Tiranë ka nxitur drejtuesit e partisë së tij të ndërmarrin një betejë për prishjen e procesit zgjedhor.”
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi sot ndaj deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, i cili theksoi se mazhoranca kërkon të manipulojë procesin dhe tejzgjatjen e tij deri në ripërsëritjen e zgjedhjeve.
“Qëllimi i Ramës dhe i drejtuesve të tjerë të PS-së është që t`i imponohet publikut teza e përsëritjes së zgjedhjeve”, theksoi Manjani.
Ai i bëri thirrje kreut të PS-së, Edi Rama të pranojë rezultatin dhe faktin që doli në opozitë dhe t`i drejtohet gjykatës nëse ka kontestime për rezultatin. Sipas Manjanit 124 786 zgjedhës të bashkisë Tiranë, kanë vendosur të nxjerrin në opozitë, për herë të parë zotin Edi Rama.
“Në rastin e bashkisë së Tiranës gjetja e fletëve të votimit në kutinë e gabuar e sqaron më së miri përrallën e mos rakordimit të shifrave, të cilën nuk e beson as vetë Rama. Është e vertetë që fletet e votimit të gjetura në kutinë e gabuar janë tepër për këtë të fundit, por është gjithashtu e vërtetë se po të njëjtat fletë janë mangut në kutinë e duhur. Por PS-së nuk i intereson kjo e fundit, sepse në fakt nuk i intereson vota e qytetarëve, por vetëm fitorja e kryetarit”, deklaroi Manjani.
Anëtarja e Asamblesë Kombëtare në PS, Megi Ajtyresa, duke reaguar ndaj kësaj deklarate tha se “ne i kemi fituar zgjedhjet në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Humbësit do përballen me popullin sovran jo vetëm si humbës, po edhe si shkelës të dhunshëm të vullnetit të popullit”.
Sunday, 29 May 2011 17:42