Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 14:13

Tiranë – Kolegji Zgjedhor e shtyu me një javë vendimin për kreun e bashkisë së Tiranës, pas tërheqjes së Partisë Socialiste nga kërkesa e saj, që ankimonte vendimin e ndërmjetëm të KQZ-së të 18 majit, gjë që e mban kështu peng edhe rezultatin përfundimtar për zonën më të madhe zgjedhore në vend.

Sipas vendimit të KQZ, pezullohet nxjerrja e rezultatit në Tiranë deri në vlerësimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara. Por dje, në seancën e Kolegjit, avokatët e PS-së parashtruan pretendimet duke i kërkuar trupit gjyqësor që të bashkonte padinë e parë me një kërkesë tjetër, që PS e depozitoi po dje. Edhe kjo kërkesë kishte objekt të njëjtë me të parën dhe kërkoi pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për votat e panumëruara dhe përfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar të Tiranës.

Kërkesa e re e socialistëve nuk u pranua nga trupi gjykues, pasi Kolegji nuk kishte hedhur short dhe as nuk e kishte relatuar ankesën e dytë të PS-së. Në këto rrethana, socialistët hoqën dorë nga ankimimi i parë duke pranuar se kërkesa e dytë është më e plotë në objekt dhe argumente.

Padia e socialistëve që do të shqyrtohet më 3 qershor, kërkon nga Kolegji “konstatimin si të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së të datës 23 maj “Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për kryetarin, Këshillin e Bashkisë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi në zgjedhjet e 8 majit”.

Kjo është kërkesa e tretë e socialistëve që i drejtohet Kolegjit Zgjedhor.

Në 26 maj, Kolegji vendosi të pushojë çështjen tjetër ankimore të paraqitur nga socialistët për tabelën e rezultatit të zgjedhjeve në njësinë bashkiake nr. 5, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për KZAZ-në 49.

Kolegji Zgjedhor, i quajtur ndryshe ‘gjykata e zgjedhjeve’, përbëhet nga 8 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit të përzgjedhur me short, të cilët betohen para Presidentit të Republikës dhe ushtrojnë detyrën deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit.

Kolegji Zgjedhor shqyrton ankimimet e subjekteve politike që kundërshtojnë rezultatet zgjedhore. Kjo procedurë nis fillimisht me shqyrtimin e ankesave në KQZ dhe brenda pesë ditësh, forcat politike kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor. Ky i fundit, që nga momenti i paraqitjes së ankimimive, ka në dispozicion 10 ditë për shqyrtimin e tyre.

Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Përfundimi i shqyrtimit të ankesave nga Kolegji zgjedhor çertifikon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor./