Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 20:41

Tiranë – Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë ankimore në KQZ, ku kërkon shqyrtimin e disa fletëve të tjera në kryeqytet, të konsideruara të pavlefshme apo të kontestuara.

Sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, “pas procesit që nisëm javën e shkuar, ku kërkuam që transparenca të ishte e plotë, vumë re që ka dhe kuti të tjera ku palët kanë pasur kontestime. Votat e kontestuara të deklaruara në dokumentacionin zgjedhor për të 11 njësitë e Tiranës, duhen shqyrtuar të gjitha nga KQZ. Ka fleta të tjera që janë quajtur të pavlefshme, pasi janë gjetur në kutinë e gabuar. Me të njëjtë filozofi, me të cilën KQZ e ushtroi këtë të drejtë pas informacioneve që vinin nga KZAZ-t, tani ta ushtrojë sipas informacioneve dhe sipas kërkesës që i kemi bërë ne, si subjekt zgjedhor”.

“Procesi i votave të kontestuara kërkon shumë kujdes nga administratorët e zgjedhjeve, të cilët këto vota i fusin në zarfe të veçanta”, tha Kosovrasti.

Sipas tij, sot u hodh shorti dhe nesër pritet të bëhet realizimi për këtë ankesë. Brenda 24 orëve dhe jo më vonë se 48 orë, duhet bërë shqyrtimi i çështjes.