Tiranë – Kolegji Zgjedhor nuk pranoi sot kërkesën e Partisë Socialiste për bashkimin e dy objekt padive, që konsiderojnë të paligjshme vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultatit zgjedhor për bashkinë e Tiranës, me argumentimin se PS nuk ka ndjekur procedurat e kërkuara në kërkesën e saj për të shtuar objekt padinë.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Eno Bushi, sqaroi para mediave se “në mbledhjen e sotme, PS paraqiti një padi më të plotë, ku përveç kërkesës për pavlefshmërinë e aktit normativ që KQZ mori në datën 18 maj për numërimin e fletëve për kryetarin e bashkisë në kutinë e gabuar, është shtuar edhe kërkesa për pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën”.
“Meqenëse kemi një padi më të plotë dhe meqë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor e çmuan se nuk ishte vendi për t’u bashkuar dy kërkesë padi, ne hoqëm dorë nga gjykimi i padisë së sotme për të vazhduar me gjykimin e padisë tjetër që është më e plotë”, tha Bushi.
Ai theksoi se së shpejti do të hidhet shorti që do të përcaktojë trupin gjykues dhe datën kur do të merret në shqyrtim kërkesë padia e PS-së.
“Argumenti kryesor i kërkesë padisë sonë është pavlefshmëria e veprimeve të kryera nga KQZ, që janë veprime në kundërshtim flagrant me ligjin, pra haptazi të paligjshme. Gjithashtu, ne kemi kërkuar shpalljen të pavlefshme edhe të vendimit të fundit të KQZ-së për të ndryshuar tabelat e rezultateve për Tiranën”, tha Bushi.
Friday, 27 May 2011 12:03