Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 17:42

Tiranë – Në seancën e parë plenare pas zgjedhjeve të 8 majit, kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi rastin për t’ua drejtuar mirënjohjen e parë 1.6 milionë votuesve shqiptarë, të cilët “me pjesëmarrjen masive dëshmuan se Shqipëria nuk është një vend që po braktiset, por një vend ku ata mund të ndërtojnë jetën e tyre”.

“Por, prej gati dy javësh, kreu i qeverisë tha se Shqipëria po përjeton një teatër absurd ku, përkundër Aleancës për Qytetarin, që kërkon numërimin e çdo vote të rregullt të qytetarëve, socialistët jo vetëm nuk e duan këtë standard ndërkombëtar, por nga ana tjetër kërcënojnë se nuk do ta njohin rezultatin që do ta japin institucionet përgjegjëse për zgjedhjet në Shqipëri, të zgjedhura me konsensus maksimal nga të dy palët. Më 8 maj, në Tiranë u korr një fitore e katërfishtë”, tha kryeministri.

“Zoti Rama e ka qeversiur Tiranën për 11 vjet, por më 8 maj qytetarët e Tiranes i dhanë Aleancës për Qytetarin një fitore të katërfishtë: Parlamentin e kryeqytetit, të minibashkive, kryetarët e minibashkive dhe me një fitore të qartë e të ngushtë kryetarin e Bashkisë. Këto rezultate janë të qarta në ditën e diellit. Presim me durim verdiktin e institucioneve kushtetuese të vendit. E, në këtë kontekst çdo qendrim tjetër do të përlyente qëndrimin fisnik të qytetarëve shqiptarë më 8 maj”, u shpreh kryetari mazhorancës dhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha.