Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 15:45

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot se forca politike që drejton, do të këmbëngulë në të drejtën e saj për votën dhe e quajti si “një betejë për të ardhmen e demokracisë shqiptare dhe nuk është betejë për një mandat”.

Gjatë një konference për shtyp, Rama tha se “në këto momente, i takon drejtësisë të bëjë drejtësi dhe të thotë fjalën e vetë pa parë majtas e djathtas, por duke parë drejt tek Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, ligjet e këtij vendi dhe mbi të gjitha tek interesat kombëtare të Shqipërisë”.

“Ne presim që gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor të ngrihen mbi çdo presion dhe mbi çdo interes tjetër, që në këtë moment, nuk mundet në asnjë mënyrë të prevalojë mbi interesin kombëtar për t’i dhënë fund kësaj historie kaq të shëmtuar, duke u bazuar tek Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, ligjet e këtij vendi dhe tek morali i demokracisë”, tha Rama.

Kryesocialisti akuzoi kryeministrin se po përpiqet të ndryshojë rregullat e lojës në fund të lojës.

“Ne jemi të bindur për të gjitha rreziqet e procesit zgjedhor me garanci të munguar, por hymë në këtë proces me rregulla që ishin të përcaktuara dhe këto rregulla përbënin edhe kuadrin, në të cilin u zhvillua kjo garë”, tha Rama.