Tiranë – Partia Demokraike vlerësoi të mërkurën se, çdo përpjekje për të dëmtuar procesin ligjor, duke ushtruar trysni ndaj kolegjit zgjedhor apo KQZ-së, në mënyrë që vendimet të merren mbi interesa polititike, dhe jo bazuar në ligj, vetëm sa dëmton integrimin evropian të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e shtabit elektoral të kandidatit për kryebashkiak, Lulzim Basha, Jorida Tabaku deklaroi se “ne jemi dakord me Partinë Socialiste se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë është jetik, ndërkohë që vazhdon procesi ligjor për të vendosur mbi rezultatin e ngushtë në zgjedhjet e Tiranës”.
Tabaku nënvizoi se “megjithatë Evropa nuk kërkon të shohë se kush fitoi, apo kush humbi, por nëse procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të ndershme, transparente dhe sipas ligjit”.
Sipas saj, çdo deklaratë e ndërkombëtarëve ka theksuar nevojën për vendime të bazuara në ligj, dhe jo sipas interesave politike. “Ndërkombëtarët i kanë kërkuar të dy palëve politike, që të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri. PD është e angazhuar në këtë drejtim”, nënvizoi ajo.
Ndërsa vuri në dukje se PD beson tek Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligjet Ndërkombëtare, që thonë se çdo votë është e barabartë dhe se çdo votë duhet vlerësuar drejt, Jorida Tabaku përfundoi duke theksuar se “Edi Rama vazhdon ta mjegullojë çështjen, në vend që të pranojë pasi ai ka frikë nga respektimi i këtyre parimeve dhe nga vendimet e institucioneve të pavarura, nga numërimi i çdo vote, nga dëgjimi i zërit të çdo qytetari”.
Wednesday, 25 May 2011 18:15