Tiranë – Partia Socialiste i bën thirrje Kolegjit Zgjedhor që të japë drejtësi për zgjedhjet e 8 majit për Tiranën.
Deputeti socialist, Ditmir Bushati, shprehu mirënjohjen për angazhimin e përkushtuar dhe qëndrimet e drejtpërdrejta të përfaqësuesve më të lartë të komunitetit ndërkombëtar “në lidhje me qorrsokakun ku e ka zhytur vendin Saliu, duke tjetërsuar vullnetin e popullit shqiptar në tavolinën e Ristanit”.
“Bashkimi Europian foli qartë e në të njëjtën linjë me Raportin e fundit të ODIHR, ku theksohej paligjshmëria e vendimmarjes së KQZ më të ashtuquajtura vota “të hedhura gabimisht”, shtoi ai.
“Kolegji Zgjedhor ka detyrimin përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendos drejtësi aty ku katër përfaqësuesit e pushtetit në KQZ shkelën cdo ligj e normë demokratike, duke shpërfillur vullnetin e popullit dhe thirrjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-ODIHR dhe të gjithë miqve të Shqipërisë. Kolegji Zgjedhor ka përgjegjësinë historike për t’i rikthyer sovranit dinjitetin dhe Shqipërisë perspektivën europiane”, ka deklaruar deputeti socialist Ditmir Bushati.
Wednesday, 25 May 2011 15:10