Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua të mërkurën me kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Austri-Shqipëri, Volfgang Grossruk, i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të këtij grupi.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendi, kryetarja Topalli, pasi vlerësoi z. Grossruk si një mik të veçantë të shqiptarëve, i njohu miqtë austriakë me reformat ekonomike e legjislative për hapjen e një biznesi në Shqipëri, me procedurat transparente, sistemin favorizues të taksave me vendosjen e taksës së sheshtë 10%, me vijimin e rritjes ekonomike, pavarësisht krizës globale dhe klimën shumë tërheqëse për bizneset.
Kryeparlamentarja, duke iu referuar zgjedhjeve të 8 Majit në Shqipëri, tha se ato ishin zgjedhjet më transparente, ndërsa diferenca e ngushtë e rezultatit tregon se zgjedhjet ishin të lira e të ndershme.
Sipas saj, të gjithë janë në pritje të finalizimit të procesit dhe të gjithë duhet të kenë besim tek insitucionet e pavarura të Shqipërisë dhe në fund rezultati duhet të pranohet.
Wednesday, 25 May 2011 13:41