Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 07:22

Tiranë – Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth dhe Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, bënë apel të martën që forcat politike të qëndrojnë në pritje të rezultatit përfundimtar, deri në mbylljen e plotë të procesit zgjedhor të 8 majit.

Ambasadori Wollfarth në përgjigje të interesimit të medies për garën në Tiranë tha se “nuk ka ende një rezultat përfundimtar, kështu që na duhet të presim”.

“Mendoj se duhet të jemi të durueshëm dhe nga ana tjetër të shohim se si do të zhvillohet situata. Pra, të presim rezultatin final, jeta vazhdon dhe para së gjithash është një garë për kreun e bashkisë, jo më shumë. Nuk ka arsye për eksitime. Qetësohuni dhe prisni përfundimin e procesit ligjor”, u shpreh ambasadori i OSBE-së.

Ndërsa për Ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, e rëndësishme është që të ruhet qetësia në vend.

“Ne bëjmë thirrje për qetësi. Dy gjërat që ne kemi përmendur gjithnjë: t’i përmbaheni kornizës ligjore dhe të prisni deri në fund të procesit rezultatin. Është e rëndësishme për popullin tuaj të ruhet qetësia”, tha Arvizu

Këto deklarata dy ambasadorët i bënë pas pjesëmarrjes, sot, në Lojërat Olimpike Speciale.