Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 21:36

Tiranë – Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton dhe Komisioneri per Zgjerimin, Štefan Füle, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për shtyp për situatën politike aktuale në Shqipëri.

Në këtë deklaratë të dy përfaqësuesit e lartë të BE-së, shprehen: “Ne e kemi mbajtur në shënim ditën e djeshme bërjen publike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Megjithatë, ne kemi mbajtur shënim që çështja e llogjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota “të hedhura gabimisht”, është një çështje që përbënë shqetësim”.

Por, për Ashton dhe Fyle procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. “Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR”.

Sipas tyre, Bashkimi Evropian pret që procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. Ato sygjerojnë që “zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim”.

“Për këtë qëllim, partitë duhet të nisin menjëherë dialogun në mënyrë që të bien dakord se si ta trajtojnë çështjen e votave “të hedhura gabimisht”. Një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë i pavarur për vendimet e debatuara të KQZ-së. Interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit evropian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave evropiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në kumtesë.