Tiranë – Kolegji Zgjedhor, si organi gjyqësor që merret me shqyrtimin e ankimeve të forcave politike dhe fatin e mëpasshëm të tyre për zgjedhjet lokale të 8 majit, është vënë tërësish në dispozicion të procesit.
Sikundër parashikon Kodi Zgjedhor i Shqipërisë, Kolegji Zgjedhor është i përbërë nga tetë gjyqtarë, të cilët i përkasin Gjykatave të Apelit në shkallë vendi.
Kolegji Zgjedhor është ngritur në janarin e vitit 2009. Shorti i organizuar atë kohë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me gjyqtarët e Apelit, zgjodhi si anëtarë të Kolegjit, gjyqtarët Dhurata Haveri, Tom Ndreca, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj, Sashenka Jonuzi, Entela Prifti dhe Petraq Koço.
Për të zgjedhurit nuk pati kontestime nga subjektet politike.
Të kontaktuar sot nga ATSH, specialistë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku është i vendosur Kolegji Zgjedhor, shprehën angazhimin e Kolegjit për procesin e shqyrtimit të kërkesave apo ankimeve që mund të kenë subjektet politike. Ata pohuan se, me mbërritjen në sekretarinë e Gjykatës të një kërkese apo ankimi nga subjektet politike, brenda 24 orëve të ardhshme organizohet shorti për caktimin e trupit gjykues për çështjen.
Ndërkohë, brenda 10 ditëve, çështja merr një zgjidhje ligjore nga Kolegji Zgjedhor, i cili merr vendimin dhe e shpall atë.
Në listën e veprimtarisë së Kolegjit Zgjedhor, mes të tjerave, parashikohet zhvillimi në datën 26 maj i seancës për kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për miratimin nga njëra prej KZAZ-ve të Tiranës, konkretisht ajo me Nr. 49, të tabelës me rezultatin zgjedhor për kreun e Bashkisë së Tiranës. Sipas pretendimit të Partisë Socialiste, KZAZ-ja me nr. 49 nuk e miratoi rezultatin për kreun e Bashkisë së Tiranës, që në total nxirrte fitues me 10 vota para kandidatin e opozitës, Edi Rama, kundrejt rivalit të tij të mazhorancës, Lulzim Basha.
Pas zgjedhjeve të 8 majit dhe debateve e kontestimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ankimimet në zona të ndryshme zgjedhore, apo vendimmarrjen e saj, duket se forcat politike, sidomos për rastin e Tiranes, do e zhvendosin betejën e tyre ligjore në Kolegjin Zgjedhor, që do të japë verdiktin për këto zgjedhje.
Tuesday, 24 May 2011 20:03