Tiranë – Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, procesi zgjedhor si dhe rëndësia e respektimit të ligjit në zgjedhje, ishin në qendër të diskutimit gjatë takimit që kreu i misonit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, zhvilloi paraditen e sotme me kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani si dhe me anëtarë të këtij Komisioni.
Në një prononcim të shkurtër për mediet, pas përfundimit të këtij takimi, kreu i misionit vëzhgues deklaroi se “në këtë takim diskutuam për vazhdimin e procesit zgjedhor dhe se si duhet orientuar ai në të ardhmen”.
Stonestreet e cilësoi me rëndësi parimin, sipas të cilit, në zgjedhje duhet të ndiqen rregullat ligjore.
“Nuk dua të përfshihem në interpretim të ligjit, por mendoj se një parim i rëndësishëm i zgjedhjeve është që të ndiqen rregullat e ligjit dhe ato çfarë thotë ligji”, përfundoi kreu i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it.
Misioni vëzhgues do të largohet ditën e nesërme, ndërsa përfundimi i gjithë procesit do të monitorohet vetëm nga dy analistë të ODIHR-it.
Raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore në Shqipëri, OSBE/ODIHR pritet që ta publikojë pas 6 javësh.
Monday, 23 May 2011 13:58