Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 10:49

Tiranë – Kandidati i maxhorancës për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 8 majit, Lulzim Basha shprehet i vendosur për të respektuar procedurat normative që parashikon proçesi i numërimit të votes, në respekt të shtetit ligjor.

Vendosmërinë e tij, kandidati demokrat e ka shprehur edhe një herë në përgjigje të letrës së hapur, që shkrimtari i njohur Ismail Kadare publikoi një ditë më parë, përmes së cilës i bënte thirrje Bashës që të tërhiqej nga gara për Bashkinë e Tiranës, për hir të interesave të vendit.

“Kjo thirrje, nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare, mund të duket e gabuar politikisht dhe strategjikisht, por do të ishte e drejtë nga një tjetër pikpamje, nga interesat e larta të vendit, të republikës dhe të kombit. Propozimin për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin, që është shef i opozitës. Ky do të ishte një gjest i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare”, shkruan Kadare në letrën e tij, që merr shkas nga situata e krijuar në Tiranë pas procesit zgjedhor të 8 majit.

Duke falenderuar shkrimtarin Ismail Kadare për shqetësimin e shprehur në letrën e tij, kandidati Basha thekson se tërheqja e tij nga procesi nuk i shërben demokracisë dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë. .

“E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj, sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial”, shprehet Basha, i cili nënvizon se këta qytetarë e kanë shprehur vullnetin e tyre dhe institucionet përkatëse po përllogarisin tani votat.

Duke shprehur qartazi s’e në asnjë rrethanë nuk do ta braktis zgjedhjen që votuesit kanë bërë, Basha nënvizon se dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë demokracinë. Për kandidatin demokrat është më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar.

Sipas tij një tërheqje, si rezultat i presioneve, nënkupton të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri. “Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë. Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira sesa të shpallë s’e përfundimisht nuk bën dot zgjedhje”, thuhet në letrën e kandidatit demokrat.

Basha e mbyll letrën, duke shprehur vullnetin për t’u takuar para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin e tij për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.