Tiranë – Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ua tërhoqi vëmendjen partive politike, që t’i japin fund ndërhyrjes dhe influencave në punën e institucioneve të administrimit zgjedhor.
Nëpërmjet një deklarate për mediat Koalicioni bën të ditur se po monitoron me vëmendje ecurinë e procesit zgjedhor në KQZ si dhe në KZAZ nr. 49, ku ende vazhdon procesi i numërimit për Kryetarin dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake Nr. 5 në Tiranë.
Duke vënë në dukje se përfundimi dhe çertifikimi i procesit zgjedhor është një çështje thellësisht teknike që pasqyron vetëm vullnetin e votuesit dhe nuk është aspak çështje politike, Koalicioni i kërkon Partisë Socialiste, Kreut të saj si dhe opozitës të ndalin protestat dhe të ndjekin hapat ligjorë, duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat dhe hapësirat ligjore.
“Besimi tek institucionet është element thelbësor që duhet nxitur dhe ushqyer tek qytetari për një shtet demokratik dhe shoqëri të përgjegjshme”, thuhet në deklaratën e vëzhguesve vendorë.
Ky koalicion i kërkon Presidentit të Republikës të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese, duke mos lejuar prekjen e integritetit të sistemit dhe futjen e vendit në një krizë të re politike.
Ndërsa, shpreh shqetësimin nga zhvillimet e fundit, Koalicioni vlerëson paraprakisht se mungesa e një rezultati për Bashkinë e Tiranë, ende pas 11 ditësh nga dita e votimit, situata e tensionuar pranë KQZ-së apo edhe protestat e ndërmarra nga opozita, po vënë në pikëpyetje plotësimin e standarteve të procesit zgjedhor si dhe vetë sistemin zgjedhor.
“Forcat politike gjatë gjithë kësaj periudhe kanë influencuar në mënyrë direkte ndaj përfaqësuesve të tyre në Grupet e Numërimit të Votave dhe anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor për të zvarritur pa shkak procesin e numërimit, duke krijuar dhe rritur artificialisht tensionin pranë dhe brenda Vendeve të Numërimit të Votave”, thuhet në njoftimin për mediat.
Në përfundim , Koalicioni i konsideron thirrjet nga eksponentë të opozitës ndaj qytetarëve për të protestuar dhe synimin e tyre për të hyrë me forcë në ambientet e KQZ si të pajustifikueshme dhe provokuese, përsa kohë që opozita ndodhet e përfaqësuar pranë këtij komisioni me anëtarët e propozuar nga vetë ajo, si dhe nga përfaqësuesit politikë të saj të akredituar aty, ndërkohë që sistemi ligjor dhe demokratik i vendit siguron mekanizmat e nevojshëm për gjetjen e zgjidhjeve ligjore dhe kushtetuese.
Saturday, 21 May 2011 08:07