Tiranë – Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri, të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë.
Nëpërmjet një deklarate të publikuar nga Zëri i Amerikës, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Filip Gordon, thekson se “Shtetet e Bashkuara e kanë ndjekur nga afër situatën në Shqipëri që nga zgjedhjet e 8 majit”.
Zyrtari i lartë amerikan nënvizon se “dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë, ose nënkupton akte dhune, nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë”.
Gordon thekson rëndësinë që “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij, në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim tek popullata dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni”.
“Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë proces”, deklaron zyrtari i lartë amerikan.
Në përfundim, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Filip Gordon, shprehet se, “populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme dhe të begatë, bazuar në vlerat universale dhe në shtetin ligjor”.
Friday, 20 May 2011 10:41