Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 14:54

Fier – Prej orëve të paradites së sotme, anëtarë dhe mbështetës të Partisë Socialiste të qytetit të Fierit, të drejtuar nga deputetë dhe drejtues të kësaj partie, kanë nisur një tubim në qendrën e qytetit, duke hedhur parulla të ndryshme në mbështetje të Kryetarit të opozitës, Edi Rama dhe në mbrojtje të votës.

Të shoqëruar nga uniformat blu të Policisë së Fierit, turma e njerëzve, është zhvendosur në drejtim të Urës së Mbrostarit, pika që lidh Tiranën me Fierin. Deri në këtë moment, tubimi po vijon paqësisht dhe pa asnjë konfrontim, ndërkohë që tek ura e Mbrostarit, protestuesit po tentojnë të bllokojnë rrugën, ndërsa i kanë vënë flakën disa gomave të vendosur në këtë segment.

Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste edhe në Durrës kanë bllokuar rrugën hyrëse të qytetit, në shenjë proteste lidhur me vonesat e KQZ në shpalljen e rezultatit zgjedhor për bashkinë e Tiranës.

Veç drejtuesve lokalë të PS, në protestën që ka bllokuar trafikun e automjeteve në dalje të qytetit bregdetar, marrin pjesë dhe deputetë të kësaj force politike dhe drejtues të bashkisë së qytetit.

Forcat e policisë rrugore kanë marrë masa për të mundësuar lëvizjen e automjeteve vetëm në njërin krah të rrugës hyrëse nga Ura e Dajlanit drejt qytetit, megjithatë nuk është shmangur dot kaosi në qarkullimin e automjeteve dhe të kalimtarëve.

Grupi i njerëzve i eshte drejtuar urës së Dajlanit, rreth 1.5 km larg qendrës së qytetit bregdetar, por ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i drejtuesve të protestës lidhur me përfundimin e saj.

Simpatizantë, anëtarë dhe mbështetës të Partisë Socialiste në qytetin e  Vlorës, të drejtuar nga deputetë të kësaj force politike dhe drejtues të njësive të qeverisjes vendore, janë mbledhur në urën e Mifolit, në përgjigje të thirrjes së bërë një ditë më parë nga kryetari i opozitës, Edi Rama.

Mbështetësit kanë mbërritur në këtë segment, pjesë e aksit rrugor Fier-Vlorë me mjete të ndryshme  dhe autobuzë të vënë në dispozicion nga strukturat e PS dhe Bashkia e qytetit bregdetar.

Protestuesit kanë qendruar pranë Urës së Mifolit, ku pak minuta më parë është ndërprerë  qarkullimi i mjeteve që hyjnë e dalin nga Vlora. Vihet re një numër forcash policie, ndërkohë që drejtuesit e Partisë Socialiste të Vlorës, kanë deklaruar pak më parë se do të qendrojnë në këtë aks edhe në orët në vijim.