Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” për bashkinë e Tiranës, Edi Rama, shprehu mbrëmë shqetësimin për atë që, sipas tij, ka ndodhur dhe mund të ndodhë “pas këtij dhunimi të paligjshëm të votës së popullit përmes KQZ-së”.
Në një konferencë për shtyp në selinë e PS-së Rama tha se ai i fitoi zgjedhjet në Tiranë megjithëse me një diferencë të vogël, pas një numërimi ku nuk mbeti asnjë shqiptar pa lexuar në kohë reale çdo votë të nxjerrë nga kutia.
Rama falenderoi vëzhguesit ndërkombëtarë për punën e tyre. “Falenderoj ambasadorin e SHBA-së, të BE-së, OSBE-së, ambasadorin holandez dhe posaçërisht misionin e ODIHR-it që zgjati qëndrimin e tij në Shqipëri”, tha Rama, teksa u kërkoi atyre “të mos e lënë sot Shqipërinë të bjerë në humnerë”.
Sipas tij, rruga e vetme për popullin është të ngrihet në këmbë për të shpëtuar demokracinë në vend. “Të revoltuarit duhet të dalin në rrugë. Në 8 maj qytetet e Shqipërisë i thanë masivisht kurrë më të keqes. Edhe fshatrat i shkuan pas. Thirrja ime për qytetet e Shqipërisë është të ngrihen në këmbë për të thënë kurrë më. Të gjithë në këmbë, të gjithë në rrugë”, tha Rama.
Rama këmbënguli se rezultati tanimë i njohur nga i gjithë populli është ai i 485 procesverbaleve të qendrave të votimit. “Komisioni Qendror po dhunon votën e shqiptarëve. Unë isha i gatshëm ta pranoj verdiktin e popullit, ndërsa regjimi nuk pranon aritmetikën e votave”, u shpreh Rama. Të gjithë e panë, vijoi ai, se Tirana dhe shumica e Shqipërisë u fitua prej Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe koalicionit të saj.
Rama tha se Kryeministri Berisha synon ta kthejë vendin në një vend ku qeveris dhe mbikqyr ai, dhe me në krye KQZ-në, kërkon ta përmbysë rezultatin.
“KQZ sot nuk numëroi, por vodhi”, u shpreh Rama, duke shtuar se ky institucion nuk respekton votat, ku ato vota të cilat mbeten jashtë kutisë, duhet të cilesohen të pavlefshme.
Nga selia rozë, kreu opozitar dënoi veprimin e KQZ-së, duke e cilësuar si një kthesë të gabuar dhe mjaft shkatërrues të demokracisë.
“Shpresuam se pala tjetër do të lexonte humbjen, por Berisha zgjodhi mos pranimin e rezultatit. Detyra jonë është të mos pranojmë përmbysjen e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
|
|
Thursday, 19 May 2011 08:24