Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas kqyrjes së fletëve të kontestuara të gjashtë kutive të votimit të KZAZ-së nr. 47 në njësinë bashkiake nr. 3, shtoi në tabelat përmbledhëse përkatëse, në kolonën e shpërndarjes së votave, 8 fletëvotimi në favor të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe 5 fletë votimi në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
KQZ u mblodh rreth orës 18:00 për të marrë në shqyrtim kuti të tjera votimi që kanë fletë të kontestuara nga KZAZ-të dhe që do rivlerësohen nga KQZ, për t’i përfshirë më pas rezultatet e ndryshuara në tabelat përmbledhëse.
Deri tani, KQZ ka kqyrur fletët e kontestuara të kutive me numër 1760, 1761, 1762/1, 1766/1, 1767 dhe qendrës 1769, për të cilat vendosi me katër vota pro të ndryshojë tabelën e rezultatit të grupeve të numërimit të votave, duke shtuar fletët respektive të votimit në tabelat përmbledhëse përkatëse, në kolonën e shpërndarjes së votave për secilin prej kandidatëve për kryetar bashkie.
Gjithashtu, këtij ndryshimi në tabelën e rezultatit për dy kutitë do t’i shtohen dhe disa fletë votimi për këshillat bashkiakë që kanë qenë të panumërura, si dhe për këshillat e minibashkisë.
Aktualisht, selia e KQZ vijon të jetë e rrethuar nga forca të shtuara policore, të cilat janë prezente aty që nga orët e paradites, për shkak të tensionit të krijuar nga deputetë dhe simpatizantë të opozitës, të cilët kundërshtojnë aktin e miratuar nga Komisioni Zgjedhor për rivlerësimin e fletëve të kontestuara të votimit për kryetar bashkie në Tiranë.
Kjo situatë tensioni gjatë paradites shkaktoi dhe përplasje mes forcave të rendit dhe deputetëve socialistë, të cilët këmbëngulën për të hyrë në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, por një vendim i marrë nga ky institucion nuk lejoi pjesëmarrjen e tyre në to.
|
|
Wednesday, 18 May 2011 20:47