Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 13:17

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mes debatesh të forta, pas miratimit dhe në  zbatim të aktit për rivlerësimin e fletëve të kontestuara për kryetarin e bashkisë Tiranë, ka nisur kqyrjen e materialeve zgjedhore në kutitë e votimit, në disa qendra votimi.

Pas miratimit me shumicë votash të aktit, i cili autorizon Komisionin të vlerësojë fletët e votimit që janë hedhur në kutinë e gabuar, duke iu përgjigjur kundërshtimeve të ashpra të opozitës, kreu i KQZ-së, Arben Ristani tha se “në kushtet kur procesi i numërimit nuk ka mbaruar ende dhe disa KZAZ kanë konstatuar fletë të panumëruara, për të hartuar tabelën përmbledhëse të rezultateve, na duhet të numërojmë të gjitha fletëvotimet”.

Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi duke e cilësuar këtë moment si “një degradim të procesit”, tha se “Komisioni po vendos hapjen e kutive të votimit me një vendimmarrje prej katër votash, ndërkohë që ky është një akt normativ, që duhet miratuar me pesë vota”.

Ndërsa KQZ vijon mbledhjen, para selisë së Komisionit vazhdojnë të qëndrojnë të grumbulluar deputetë dhe simpatizante të PS-së.

Efektiva të policisë vijojnë të mbajnë të rrethuar godinën e këtij institucioni, ndërsa më herët, KQZ vendosi që të mos lejojë deputetët socialistë që të hyjnë brenda sallës së mbledhjeve.